Mithat

Shën Gjergji në Prishtinë

Rrëfim nga Prishtina e vjetër

Shkruan: Mithat Lepaja

si vive di opzioni binarie

Dita e Shën Gjergjit që është 6 Maji, shënon festën më të vjetër pagane, që e kremtonin shumë popuj të botës. Deri në kohën tonë ajo ishte festa më e madhe kulturore e romëve, sidomos të atyre lagjeve të njohura të Prishtinës. Ishte kjo një ditë e gëzueshme për këtë popullatë të hareshme që shënonte kufirin në mes të dimrit dhe verës. Romët e Prishtinës këtë ditë e festonin me madhështi. Me ditë e javë të tëra ata bënin përgatitje për veshmbathje solemne dhe për ushqime të veçanta për këtë festë. Shumica e familjeve punonin me zell të madh për të siguruar mundësi që të blenin qengja të Shën Gjergjit. Te lagjja më e madhe e njohur me emrin “Moravska”, që kufizohej me Parkun e madh të qytetit qengjat i mbanin në kullosë në barin e njomë të këtij parku. Kujdestari i parkut, Rrahmani, që ishte shumë meritor që parku kishtë një pamje të bukur, nuk i pengonte asnjëherë romët që qengjat të qëndrojnë në park. Dhe më 6 Maj çdo gjë ishte solemne. Romët zgjoheshin herët, laheshin në ujë ku vënin lule, pemë, sidomos molla të kuqe, e gjethe të bimëve të ndryshme. Visheshin solemnisht, sidomos gratë me dimija e veshje të tjera shumëngjyrëshe dhe me stoli. Qysh në orët e hershme të mëngjesit jehonte muzika rome, që përhapej në lagjet e vjetra të qytetit. Burrat e gratë, por edhe fëmijët e veshur solemnisht vallëzonin nën tingujt e gërnetave e të tarabukave të shumta. Kishte midis instrumentistëve edhe violinistë të përsosur që me tingujt e hollë e vajtues e zgjonin dhembjen dhe nostallgjinë e pleqve që e kujtonin me mall rininë e tyre.. Kështu të disponuar, me gëzim e hare e fillonin marrshin nga “Moravska” në drejtim të Stacionit të autobusve, që ishte afër Pazarit të gjelbër për të shkuar te Tyrbja e Sulltan Muratit, në Mazgit. Te stacioni i autobusve vinin edhe romët e hareshem të Lagjes së Hekurudhës pranë Spitalit të vjetër të Prishtinës (sot Ministria e Shëndetësisë). Të gjithë udhëtonin me autobusa të veçantë që për Shën Gjegj shkonin te Tyrbja në Mazgit. Udhëtonin disa nga zotërinjtë edhe me pajtana që atëherë ishin në Prishtinë dhe qëndronin në rrugën afër ndërtesës së sotme të Televizionit. Te Tyrbja e sulltan Muratit ishte një tollovi e madhe, por shumë e hareshme. Aty zhvillohej festimi i vërtetë – një festival i hareshëm i këngëve e valleve, një aheng por edhe shumë dreka solemne dhe rituale që lidheshin me veprimet e Tyrbes së Sulltan Muratit…. Në mesin e kësaj mase ishin disa orkestra të kompletuara me tarabuka e gërneta, me tupane e zurla, sepse romët ishin të njohur si muzicientë të dalluar, por edhe si valltarë. Romët e Prishtinës kishin profesione të ndryshme: ishin edhe hamaj, sharraxhi, lustraxhi, kasapë, por ishin edhe esnafë të sigurt në punë të ndryshme të tregtisë dhe të veprimtarive të tjera. Në ditën e Shën Gjergjit dajrexhinjtë – muzicientët dhe kasapët ishin më të respektuarit se kjo festë e madhe zbukurohej me gjymysh, por edhe me mish qengjash, të cilët i thernin kasapët. Para se të arrinin te stacioni i autobusve, në fund të “Moravskës”, të gjithë manifestuesit bënin një ndalesë të shkurtër te Furra e Azemit për t’u furnizuar me pjekurina. Por, muzika nuk ndalej për asnjë çast. Në të shumtën e rasteve valles i printe Silvana e njohur, me veshjen e saj me ngjyra te theksuara që vishte edhe në “sfilatat” e saj te hoteli “Bozhur”, me dimija kumash, jelek ari, shami me ojna dhe këpucët me “shtiklla”. Në mesin e valltarëve dallohej edhe një nga valltarët e Ansamblit “Shota” që e kishte një punëtori kovaçi, në rrugën “Xhemajl Ibishi”. Duke shkuar rrugës për në stacion të autobusve kur ndonjë kalimtar i rastit i uronte në gjuhën rome me Bahtallo Ederlezi, ata përgjigjeshin Osasto. Në këto raste muzika bëhej më kumbuese për t’i falënderuar edhe në këtë mënyrë ata që uronin. Më së vështiri e kishin valltarët që qengjat i mbanin në qafë se këta të trembur nga muzika nuk ishin të “disiplinuar” dhe u sillnin telashe valltarëve. Dhe kështu kjo turmë e hareshme kalonte pranë Shkollës fillore “Vuk Karagjiq” (tani “Elena Gjika”) nëpër rrugën “Emin Duraku” pranë Sahat Kullës kah Xhamia e Madhe dhe arrinte në stacion të autobusve ku të gatshëm i pritnin autobusët special të “Kosovatransit” për t’i dërguar te Tyrbja. Edhe sot e kam “zhig” që nuk jam përzier me ta në autobus dhe të shkoj deri atje te Tyrbja e Sulltanit në Mazgit dhe të jem dëshmitar i festimit dhe ritualeve të tyre.
Në mesin e turmës që shkonte për ta kremtuar Ditën e Shën Gjergjit te Tyrbja e Sulltan Muratit ishte edhe Karlla, romi më autoritativ i Prishtinës e ndoshta edhe i krejt Kosovës. Mbase ai ishte koxhobashi i tyre. Karlla në rini ishte muzicient, por me këtë profesion nuk ishte bërë i famshëm. Ai ishte dalluar si kumarxhi, dhe si i tillë ishte bërë ndër njerëzit më të famshëm të Prishtinës. Ai, siç dihet, e pati përmirësuar jetën – standardin e tij: pati ndërtuar shtëpi të mirë, ku organizonte lojën e bixhozit. Në shtëpinë e tij tuboheshin kumarxhitë më të njohur, jo vetëm të Prishtinës, jo vetëm nga radhet e romëve, por nga të gjitha komunitetet si: shqiptarë, serbë, malazez, turq, goranë, boshnjakë etj. Edhe pse në atë kohë, në shoqërinë kosovare, kishte vlime politike, asnjëherë nuk ka ndodhur që te kumarxhitë të ketë mospajtime nacionale. Mospajtime, e rrallë edhe konflikte, ka pasur vetëm kur ndonjëri nga lojtarët i thyente rregullat e “ferplejit”. Karrlla i famshëm i Prishtinës, koxhobashi i krejt romëve, ishte bërë edhe i pasur. Pasuria e tij rritej dhe ky filloi të merrej edhe me një biznes të veçantë, me shitjen e veshjeve të modës së asaj kohe. Si “menaxher” i shkathtë, ai dërgonte “agjentë tregtarë” në Trieshtë të Italisë për t’u furnizuar kryesisht me farmerka. Këta vartës të Karllos kur arrinin në Trieshtë shkonin në pazarin e njohur të xhinseve – Ponte Roso. Te tregtarët italianë të Ponte Rosos romët e Prishtinës ishin më të respektuarit, sepse këta blenin mallin më cilësor se ashtu ishte kërkesa e Karllos, i cili nuk donte që bashkëqytetarëve të vet t’u ofron mall “shkart”. Le te dihet njëherë e përgjithmonë se modën italiane të veshjes në Prishtinë e solli Karlla e jo Ndërmarrja më e madhe tregtare e veshëmbathjes “Gërmia”.
Karrlla ishte një burrë i pashëm: me mustaqe të rregulluara bukur si të aktorëve italianë, flokë të zeza kaçurrelë; ishte mjaft i shëndetshëm me mbipeshë, por vishej me shije si të ishte sheik. Po të përzihej me ta nuk mund të dallohej se nuk është nga Arabistani…
Dita e Shën Gjergjit në vitin 1980 ishte shumë e dhembshme për romët e Prishtinës, sepse më 4 maj vdiq shoku Tito dhe shteti pati shpallur zi shumëditëshe. Dhembja nuk ishte për “shokun e dashur”, Titon, por këtë ua shkaktoj urdhëresa se më 6 maj nuk mund të festohej Dita e Shën Gjergjit, se gjymyshi dhe zija nuk shkojnë bashkë… Me gjasë edhe romët e “Moravskës” atë ditë e patën mbajtur një kuvend dhe paten vendosur që si qytetarë lojalë ta respektojnë këtë urdhëresë të pushtetit… Por njëri nga pleqtë e pakënaqur nuk qe duruar pa e zgjatur edhe pak muhabetin për këtë fatkeqësi që i kishte ndodhur Jugosllavisë. Ai e filloi rrëfimin e tij për Sakipin. Sakipi i kishte nëntë fëmijë dhe kur lindi i dhjeti, djali që e emëroj Kahraman, sipas ligjit dhe traditës shtetërore pati lidhur kumari me “shokun Tito”. (Për ta stimuluar natalitetin shteti jugosllav kishte marrë një vendim që Tito lidhte kumari me të gjithë ata prindër që kishin lindur dhjetë fëmijë, prandaj shumë romë qenë bërë kumbarë të shok Titos dhe betoheshin në emrin e tij). Por Sakipi dhe i biri i tij Kahramani kishin qenë të pafat… Pas kësaj kumarie Kahramani ishte sëmur dhe kishte vdekur… Sakipi shumë i pikëlluar dhe i dëshpëruar kishte thënë: I rrita nëntë fëmijë si molla e çka dreqin më çoj të bëj kumari me Titon, të cilit ja kanë pa sherrin krejt dynjaja …. Plaku vazhdoj, duke thënë se romët janë burra të fjalës se po të kishte bërë dikush munafiki te hyqymeti, Sakipi do të ishte i burgosuri i parë politik romë jo vetëm i “Moravskës”, por edhe më gjerë. Pra, vdekja e “shokut” Tito ishte bërë si ters për romët e “Moravskës” dhe të krejt Prishtinës. Nga ai vit festa e Shën Gjergjit për ta kishte filluar ta humbte shkëlqimin e dikurshëm, kurse tash pothuajse ka zënë të harrohet se shumë nga romët e dikurshëm, që njiheshin si burra të mirë, esnafli e qibarli, nuk jetojnë më në Prishtine…

opzioni digitali scalping

Related News

Comments are closed

anyoption einzahlung © 2015 Argument+ | All rights reserved.